OPINIONE

KËNGËTARËT QË PO NGATËRROJNË HISTORINË

Nga këngët për trimat,tek këngët për politikanët

Në këtë kohë të artë të muzikës patriotike shqiptare,kemi hyrë në një epokë të re ku frymëzimi nuk vjen më nga Adem Jashari,Isa Boletini apo Skënderbeu.Jo bre jo…Frymëzimi tani vjen nga disa burra me xhaketa,të thjeshtë,të cilët mbajnë fjalime të gjata dhe bëjnë gjeste dramatike me duar as më pak e as më shumë,vetë politikanët.
Dikur këngëtarët këndonin për betejat heroike,për dëshmorët që dhanë jetën për lirinë e Kosovës,për nënat që qanin bijtë e tyre në varre.Sot për sot nuk ka më heronjë.Artistët tanë e kanë gjetur shpëtimtarin e tyre të ri.E qartë,këngët patriotike kanë ndryshuar drejtim.Në vend të fjalëve “Gjaku i dëshmorëve s’falet”, tani kemi “Albin,të duam shumë,na për ty po bojmë lum”.Pas përfundimit të këngs fillojnë brohoritjet: Albin Kurti…Albin Baba…pastaj kthehen: Afrim Bunjaku…Afrim Bunjaku…

Po mirë,por Enver Zymberi ishte i Kosovës apo jo…? Ishte kolgeu i Afrim Bunjakut apo jo…?

ALBIN-FOLK  zhanri i ri i muzikës shqiptar

Kjo tendencë e re muzikore ka krijuar disa artistë të rinjë,të vetshpallur këngëtarë,që kanë shpikur një zhanër të veçantë.Pra Albin-folk.Në çdo dasmë,në çdo përvjetor,madje edhe në kafe,një këngë për Albinin është e detyrueshme.Nuk mund të hamë qebapa të qetë në një restorant,sepse dikush do të vendos në altoparlant një himn të ri:
“Në Prishtinë na lindi dielli,
Albini jonë zbriti nga qielli
Në Bruksel shkon kryetrimi,
Me dy kobure si Isë Boletini !”
Dhe publiku,i përlotur,ngrit duart si në një stadium futbolli…Heu budallaki e mjera.

Heronjtë e vërtetë të harruar nga muzika

Ka ndodhur një keqkuptim i madh historik. Njëherë e një kohë,për të qenë patriot, duhej të bëje diçka të madhe për kombin.Të luftoje,të sakrifikoje,të mbroje lirinë.Por sot,për të qenë patriot,mjafton të bësh një këngë për Albinin.Nuk ka më rëndësi se kush ka dhënë jetën për këtë vend.Rëndësi ka kush ka premtuar më shumë në fushatë.
Dikur dëgjonim:
“Sërish vjen marsi,sërish vjen stina
Të rënët dhe të gjallët bëhen tokë
Vesë as shi s’duron lëndina
Burrëria nuk duron dot”

Sot dëgjojmë:
O albin o baba i jonë
Ty të duam përgjithëmonë
O Albin o trim mbi trima
Se ti je Hasan Prishtina

Në këtë pikë,edhe vetë Hasan Prishtina po rrotullohet në varr,duke pyetur: “Po unë, çka bëra keq që nuk mora një këngë si kjo?!”

Këngëtarët e dashuruar pas Albin Kurtit

Disa nga këta këngëtarë janë aq të emocionuar për Albinin,saqë sikur tu jepej mundësia në çdo intervistë do ta bënin të qartë që kënga e tyre nuk është thjesht një këngë.Është një thirrje shpirtërore,një mision hyjnor.Sigurisht që do të mbanin fjalime patetike,duke thënë se Albinin e shohin si një lider të ndritur,një shpëtimtar të kombit.
Si shembull,njëri nga këngëtarët do të deklaronte:
• “Unë e ndjeva brenda shpirtit se duhej të këndoja për Albinin.Ishte një ndjenjë e thellë,një mision i shenjtë,një mesazh nga qielli!”

Dhe ja ku kemi këngët më të reja:
“Albin,o dritë e kombit!”
“Kurti,Kurti,shpresa jonë!”
“Vetëm ti,asnjë tjetër,s’na shpëton!”
Ndërkohë,heronjtë e vërtetë,ata që kanë sakrifikuar jetën,shikojnë përtej varrit dhe pyesin“Po neve,a na keni harruar?”

A do të ndryshojnë këngët kur të ndryshon pushteti?

Në fund të fundit,nuk është faji i këngëtarëve.Ata kanë kuptuar se historia është një koncept i vjetër dhe se politika është muzika më e dëgjuar në vend.Sot,më shumë se asnjëherë,ne po shohim që patriotizmi nuk matet me sakrifica,por me numrin e këngëve që i kushtohen një lideri politik.
Kush e di,ndoshta pas disa vitesh,kur të vijë një kryeministër i ri,këto këngë do të ndryshojnë përsëri.Në vend të ” o Albin, o baba i jonë”,do të kemi “o Genci o baba  jonë” ose “o MC gjii o baba jonë!”.

Haj medet haj…S’do të mund t’ua gjëjmë nënat.
Derisa të vijë ajo ditë,le të dëgjojmë himnet për Albinin,Lumirin,Memlin,Ramushin e Fatmirin dhe të shpresojmë se ndonjë këngëtar do ta kujtoj edhe ndonjë hero tjetër që nuk ka qënë deputet.Dhe pa më thuani ju,si t’i quajmë këta?…këngëtarë apo…?
Lavdi muzikës së re politike!

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *