www.proars-production.com

OPINIONE

ARTI QË PO SHUHET MES KOMERCIALIZMIT DHE KLANEVE

Nga: Kasim Qafleshi

Nëse do të donim ta përshkruanim gjendjen aktuale të artit në Kosovë me një fjali, ajo do të ishte kjo:

“Arti po mbijeton, por jo për shkak të dashurisë për të, por për shkak të tregut.”Dikur muzika, filmi dhe teatri ishin pasqyra më e qartë e shpirtit të një populli. Sot, ato po kthehen në një mall që shitet shpejt, me një cilësi gjithnjë e më të dyshimtë dhe një qëllim kryesor: fitimin e menjëhershëm.

I. Muzika popullore shqiptare nga shpirti te komercializmi

Muzika popullore shqiptare dikur ishte krenari kombëtare. Ajo nuk ishte thjesht argëtim, por rrëfim i shpirtit, i dashurisë, i mallit dhe i vuajtjeve të një populli. Këngëtarët e brezave të mëparshëm e trajtonin artin si mision, jo si biznes.

Sot, realiteti është krejt tjetër.

Shumë këngëtarë po e trajtojnë muzikën popullore si një projekt komercial, duke e zhveshur nga vlerat e saj autentike. Në vend të zërit, emocionit dhe mjeshtërisë muzikore, kemi hyrje masive të autotune-it, tekste të shkurtra dhe shpesh pa kuptim, si dhe videoklipe që fokusohen më shumë te imazhi sesa te përmbajtja.

Prodhuesit muzikorë garojnë për klikime, jo për cilësi. Albumet e punuara me kujdes janë zëvendësuar nga këngë që publikohen brenda një nate, vetëm për të kapur trendin e radhës në TikTok apo Instagram.

Pothuajse është zhdukur hulumtimi i motiveve popullore, rikrijimi i këngëve të vjetra, ose risjellja e trashëgimisë muzikore. Aty ku dikur artistët e mëdhenjë krijonin këngë që mbeteshin përjetë, sot këngët harrohen pas një jave.

Mungon gjithashtu përkrahja e institucioneve kulturore për këngëtarët që ruajnë autenticitetin. Ata që punojnë me përkushtim dhe përpiqen të sjellin diçka të pastër e cilësore shpesh mbesin në hije, ndërsa përpara shtyhen ata që prodhojnë shpejt dhe lehtë.

Kjo e bën të qartë një gjë:

Muzika jonë popullore nuk po humb, por po transformohet në diçka që nuk ka më shpirt.

II. Bota e aktorëve dhe regjisorëve një art i ndarë në klane

Në teatrin dhe kinemanë kosovare është krijuar një realitet i hidhur: ndarjet brenda botës artistike. Në vend që artistët të bashkohen për të sjellë projekte të fuqishme, kemi krijuar klane dhe grupacione që punojnë vetëm me njerëzit “e tyre”.

Aktorët e rinj që kanë talent të madh shpesh nuk marrin shansin e merituar, jo për shkak të mungesës së aftësisë, por për shkak të mungesës së lidhjeve. Regjisorët e afirmuar shpesh punojnë vetëm me rrethin e tyre të ngushtë, duke lënë jashtë dhjetëra artistë të tjerë që mund të sjellnin freski dhe ide të reja.

Kjo klimë përjashtuese ka krijuar një mbyllje të skenës artistike. Përfiton vetëm një grup i vogël, ndërsa publiku humbet. Nuk kemi më bashkëpunime të mëdha, nuk kemi më projekte të guximshme, dhe nuk kemi më një qëllim të përbashkët.

Në vend të konkurrencës së shëndetshme, kemi krijuar një luftë të heshtur për protagonizëm.

Ky fenomen po vret kreativitetin. Sepse arti jeton vetëm kur ka bashkëpunim, shkëmbim idesh dhe hapje. Pa këto, çdo projekt mbetet gjysmak.

III. Filmat e munguar kur shteti hesht

Kosova ka aktorë dhe regjisorë të jashtëzakonshëm, por nuk ka përkrahje institucionale. Ky është realiteti më i dhimbshëm.

Filmat e mirëfilltë, ata që kërkojnë skenarë të fuqishëm, buxhete serioze dhe kohë për punë, janë të rrallë. Shumë projekte të vlefshme nuk marrin asnjë financim, ndërsa ato pak fonde që ndahen shpesh shkojnë në duart e atyre që tashmë janë pjesë e “rrethit të mbyllur”.

Për më tepër, ekziston një përplasje e hapur mes krijuesve të filmave dhe Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK).

Krijuesit e akuzojnë QKK-në se ndërmerr vendime selektive, duke ndarë buxhete vetëm për njerëz të caktuar dhe projekte të favorizuara.

Ndërsa QKK akuzon krijuesit për mungesë bashkëpunimi dhe mos përgatitje të skenarëve profesionalë, duke pretenduar se shumë projekte janë të dobëta dhe nuk përmbushin standardet.

Ky konflikt po e dëmton rëndë kinemanë kosovare. Në vend që të kemi unitet dhe strategji të përbashkët, kemi akuza të ndërsjella dhe një industri që ngec.

Në mungesë të përkrahjes së qartë dhe transparente nga shteti, shumë regjisorë detyrohen të kërkojnë financime nga jashtë dhe shpesh krijojnë filma që nuk pasqyrojnë realitetin kosovar, vetëm për t’u përshtatur me kërkesat e fondeve ndërkombëtare.

Kështu humbasim identitetin tonë artistik.

Kinemaja kosovare ka potencial të madh, por ky potencial po shuhet. Shteti nuk ka strategji afatgjatë për industrinë e filmit, nuk ka fonde të mjaftueshme, nuk ka përkrahje për distribucion, as për festivale kombëtare që do të promovonin krijimtarinë vendore.

Në vend që arti të shihet si pasuri kombëtare, ai po trajtohet si barrë. Dhe kjo po e vret ngadalë industrinë.

IV. Koha për një zgjim artistik

Arti, qoftë muzikor, teatror apo filmik, është pasaporta kulturore e një kombi. Nëse nuk e mbrojmë sot, nesër do të mbetemi pa të.

Është koha që:

  • Këngëtarët të kthehen te autenticiteti dhe vlerat e vërteta të muzikës popullore.
  • Aktorët dhe regjisorët të bashkohen për projekte të mëdha dhe të hapin dyert për talentët e rinjë.
  • Shteti të krijojë një strategji serioze për përkrahjen e filmit, muzikës dhe teatrit.

Pa një rilindje kulturore, arti ynë do të mbetet peng i tregut, i klaneve dhe i mungesës së vizionit. Dhe atëherë, do të kemi humbur më shumë sesa një industri,mbi të gjitha do të kemi humbur shpirtin tonë kombëtar.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *