www.proars-production.com

KULTURË

TELEVIZIONET TONA – NJË AKADEMI E ZBRAZËTISË KOLEKTIVE

Nëse dikush do të vinte sot nga jashtë dhe do të hapte një televizion në Kosovë, ka gjasë të mendonte se jetojmë në një shoqëri ku problemi kryesor është: kush ka bërë më shumë “drama” në një reality-show, kush e ka grisur fustanin në një skenë qesharake, apo kush ka më shumë “followers” në rrjete sociale. Sepse për fat të keq, kjo është pasqyra që televizioni ofron: shumë zhurmë, shumë fjalë, shumë “show”, por asnjë grimë kulturë, arsim apo edukim.

Emisione edukative? Zero. Programe kulturore? Të rralla sa kometat. Në vend të tyre kemi talk-show të pafundme ku njerëz që shpesh nuk kanë lexuar as dy libra, shiten si ekspertë për çdo temë si: nga ekonomia botërore e deri te jeta private e VIP-ave. Kemi panele ku fjalët fluturojnë, por kuptimi humbet. Kemi reality-show ku publiku ftohet të shohë për orë të tëra se si dikush grindet pse nuk i kanë larë enët. Dhe këto na shiten si “prodhime televizive”.

Është për të ardhur keq që televizionet tona e kanë hequr dorë nga përgjegjësia publike. Televizioni nuk është vetëm biznes për reklama, është një institucion që duhet të pasqyrojë mendimin, kulturën, artin dhe vlerat. Por sot duket se televizioni është shndërruar në një fabrikë “zhurmash”, ku secili program matet me numrin e klikimeve, jo me cilësinë e mesazhit.

Më keq akoma: kur flitet për kulturë, shpesh i referohen “kulturës së showbizit”. Sikur kultura jonë kombëtare të përkufizohej me thashetheme rreth jetës private të këngëtarëve. Sikur trashëgimia jonë artistike të ishte aq me vlerë ku me një emision pyetja më e madhe është: “Me kë është fejuar sot filan këngëtari?”

Dhe si për të treguar se ku kemi rënë, televizioneve u duket krejt normale t’i japin hapësirë një RAP-këngëtari, i cili në këngët dhe videot e tij promovon drogën, armën, vjedhjen dhe çdo gjë negative që shkatërron shoqërinë. Ky “artist” që përhap dhunë dhe krim, del i nderuar në ekran, ndërkohë që një shkrimtar apo një artist i vërtetë nuk ftohet kurrë për të folur për krijimtarinë e tij. Një valltar i SHKA-ve që mban gjallë traditën nuk shfaqet askund, por një këngë që lavdëron drogën transmetohet me krenari në “prime time”. A ka ironi më të madhe se kjo?

Ku janë programet për librin? Ku janë debatet për teatrin? Ku janë dokumentarët që do të duhej të tregonin historinë tonë të pasur kulturore? Ku janë emisionet edukative që do t’i ndihmonin nxënësit e studentët, të paktën përmes televizionit, të kuptojnë më shumë rreth shkencës, teknologjisë apo letërsisë? Përgjigjja është e hidhur: nuk janë. Sepse ato nuk sjellin shikueshmëri të shpejtë, nuk gjenerojnë “sponsorë” që kërkojnë show, e nuk krijojnë “viralitet”.

Ironia më e madhe është se të rinjtë tanë, të uritur për dije dhe kulturë, mbeten pa alternativa. Ata rriten duke menduar se televizioni është vetëm një vend ku njerëzit flasin me zë të lartë, ku qeshjet false shiten si humor, dhe ku muzika pa tekst shitet si art. Ndërkohë, ata që do të duhej të ishin frymëzim si: shkrimtarët, artistët, profesorët, studiuesit e shumë figura të tjera, mbeten jashtë kamerave, të ftuar vetëm kur dikush kujtohet një herë në vit për “Ditën e Kulturës”.

Nëse televizioni është pasqyra e shoqërisë, atëherë pasqyra jonë është çarë, thyer dhe bërë copë e grimë. Shfaq vetëm anën më të shëmtuar, më të zbrazët e më të lehtë për t’u konsumuar. Dhe në këtë pasqyrë, publiku nuk sheh veten, por sheh vetëm një karikaturë të vetes.

Është koha që televizioni të ndalë këtë garë të turpshme për spektakël boshe. Sepse një shoqëri pa kulturë në ekran, është një shoqëri pa busullë. Dhe një ekran që nuk jep dije, është thjesht një dritë që ndriçon errësirën e injorancës.

Në fund, pyetja nuk është pse nuk kemi programe kulturore, por sa gjatë do të durojmë këtë gjendje. Sepse çdo ditë që kalon me ekrane boshe, është një ditë më shumë e humbur për shoqërinë. Dhe historia nuk fal. Do të na gjykojë jo për numrin e reality-show-ve që kemi prodhuar, por për hapësirën që i dhamë një kënge për drogën, ndërkohë që librat, teatri dhe kultura mbetën jashtë kamerave.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *