www.proars-production.com

KULTURË

SHOQËRITË KULTURORE ARTISTIKE – GARDIANËT E SHPIRTIT KOMBËTAR

Është bërë modë sot të përbuzësh Shoqëritë Kulturore-Artistike vetëm pse po marrin pjesë nëpër dasma, fejesa apo ahengje familjare. Disa madje thonë: “Çka u dashka valltarëve aty?!”

Por e vërteta është krejt ndryshe: aty ku shfaqet një SHKA, dasma merr shpirt, merr histori dhe merr kuptim.

Le ta themi hapur: një valle e vërtetë popullore, e ruajtur me fanatizëm nga këto shoqëri, ka më shumë vlerë sesa një këngëtar që del me dy fjalë banale mbi një “playback” të huazuar dhe kërkon pagesa marramendëse. SHKA-të nuk shkojnë për t’u dukur në “Instagram” apo për të bërë show boshe. Ato shkojnë për të ruajtur dhe për të treguar traditën. Dhe në një kohë kur kënga e kot bëhet hit dhe për tri ditë e harrohet, një valle e mirë ruhet për breza.

Kritikët që i shohin valltarët nëpër ahengje si diçka “të tepërt”, harrojnë një fakt themelor: dasmat shqiptare nuk kanë qenë kurrë vetëm muzikë e zhurmë, por ceremoni kulturore ku çdo hap, çdo këngë dhe çdo rit kishte kuptim. SHKA-të po e rikthejnë këtë dimension në një kohë kur shumë dasma janë shndërruar në “koncerte” të improvizuara pa identitet.

E për çfarë po kritikohen valltarët? Sepse nuk kanë “hit” veror që harrohet në dimër? Sepse nuk marrin “view” në YouTube me miliona? Nëse kjo është arsye për përbuzje, atëherë duhet të përbuzim vetë rrënjët tona. Shoqëritë Kulturore-Artistike nuk janë vetëm zbukurim i një dasme por ato janë edhe oksigjeni i saj. Një dasmë pa vallen e tyre është si një trup pa shpirt. Ndërsa një këngëtar pa zë që shfaqet aty, nuk është asgjë më shumë se një mikrofon i shtrenjtë që prodhon zhurmë.

Por SHKA-të nuk janë vetëm valltarë. Ata janë ruajtës të shpirtit kombëtar. Kur ata hyjnë në një dasmë dhe nisin vallen, nuk e bëjnë për show, por për ta rikthyer të gjallë një trashëgimi që rrezikon të humbë mes muzikës komerciale dhe zhurmës së kohës moderne. Një i ri sot, duke parë valltarët në një aheng, mëson si kanë festuar gjyshërit e tij. Një fëmijë kupton se zakonet shqiptare nuk janë vetëm rrëfime, por realitet që ende jeton.

Nëse sot një këngëtar pa vlerë artistike del në një aheng dhe këndon tri këngë, nesër askush nuk e mban mend. Por nëse një SHKA shfaqet dhe hedh vallen e lashtë, ajo mbetet kujtim i paharruar. Ajo valle bëhet fotografi shpirtërore e asaj dite, simbol i krenarisë dhe i identitetit tonë.

Shoqëritë Kulturore-Artistike janë ushtarë të heshtur të kulturës kombëtare. Ata nuk mbajnë armë, por kostume popullore; nuk bëjnë luftë, por luftojnë harresën. Dhe kjo betejë është po aq e rëndësishme sa çdo betejë tjetër që kemi kaluar si popull.

Prandaj, në vend të përbuzjes, le t’i përkrahim e t’i nderojmë. Sepse falë tyre, në çdo dasmë shqiptare, përveç gëzimit familjar, hyn edhe një copë atdhe. Dhe kjo është më shumë se argëtim dhe mbi të gjitha është vetë mbijetesa e shpirtit tonë kulturor.

LEAVE A RESPONSE

Your email address will not be published. Required fields are marked *