Ka njerëz që nuk duhej të harroheshin kurrë, por që, fatkeqësisht, në këtë vend janë lënë pas dore nga shteti, institucionet dhe shpeshherë edhe nga shoqëria jonë e pavëmendshme. Rasim Thaçi ( CIMA ) dhe Ibrahim Krajkova ( LECI ), dy shtylla të humorit kosovar, sot pushojnë në amshim, por kujtimi i tyre rrezikon të zbehet në një vend që nuk di t’i respektojë figurat e veta. Ndërkohë, i treti nga kjo treshe e artë, Sevdai Radogoshi ( QUMILI ), është ende gjallë dhe aktiv, por mbart mbi supe barrën e një trashëgimie të madhe, pa përkrahjen që e meriton. Ky është realiteti ynë i hidhur. Ata që e bënë historinë e kulturës sonë, i kemi lënë të harrohen.

Por le të kthehemi mbrapa. Cima, Leci dhe Qumili nuk ishin thjesht humoristë që bënin njerëzit të qeshnin. Jo! Ata ishin zëra të guximshëm të një populli që jetonte nën trysninë e pushtetit jugosllav. Me daljet e tyre në skenë dhe me batutat e tyre therëse, ata ishin halë në sy të regjimit. Çdo shfaqje e tyre ishte më shumë se argëtim dhe lirisht mund të thuhet se ishte një akt rezistence. Publiku qeshte me lot, por pushteti shtrëngonte dhëmbët. Në atë kohë, të qeshje me një skeç të Cimës, Lecit e Qumilit nuk ishte thjesht një çast humori, por ishte një akt i vogël sfidues ndaj një sistemi që donte të të mbante të frikësuar dhe të nënshtruar.

Cima ishte mjeshtër i improvizimit dhe i satirës së shpejtë. Ai dinte të merrte një situatë të thjeshtë të përditshme dhe ta kthente në një pasqyrë të gjallë të realitetit, duke goditur aty ku duhej më shumë. Batutat e tij nuk ishin vetëm për të qeshur. Ato ishin në njëfarë mënyre edhe ”thika” të mprehta që çanin hipokrizinë e pushtetit. Në anën tjetër, Leci ishte mjeshtër i karakterit të tij, i tipit që ne të gjithë e njihnim ndonjë nga jeta jonë e përditshme. Ai arrinte që rolin e tij ta veshte me sarkazëm, ta vendoste në situata komike dhe, në fund, ta shndërronte në figurë të përjetshme. Dhe Qumili, i cili ende sot qëndron në skenë, është dëshmia e gjallë se si humori i vërtetë nuk vdes kurrë, edhe kur koha ndryshon dhe shoqëria shkon drejtë harresës.

Por, me gjithë këtë kontribut të jashtëzakonshëm, shteti ynë i ka harruar Cimën dhe Lecin. Sot nuk ka ndonjë institucion qoftë edhe i vogël që mbajnë emrin e tyre, nuk ka festivale për të kujtuar veprën e tyre, nuk ka dokumentarë të mirëfilltë që të ruajnë për brezat e ardhshëm atë trashëgimi të artë. Ata përmenden vetëm nga nostalgjikët, nga miqtë e tyre dhe nga dashamirët e kulturës. Ky është një turp i madh për institucionet tona kulturore, të cilat më shumë kujdesen për aktivitete boshe protokollare sesa për të nderuar figurat e vërteta të artit.
Po le të pyesim veten: çfarë humori kemi sot? Për fat të keq, ajo që shohim nëpër televizione dhe në rrjete sociale nuk është humor i mirëfilltë. Tekstet sot shkruhen duke u kopjuar nga interneti. Janë skeçe të cekëta, të lodhura, pa shpirt, pa mesazh dhe pa guxim. Janë vetëm argëtim sipërfaqësor, që qesh një herë dhe e harron menjëherë. Nuk kanë as guximin e Cimës, as thellësinë e Lecit, as origjinalitetin e Qumilit. Atëherë, edhe pse jetonin nën censurë dhe nën trysninë e një pushteti represiv, ata krijonin humor të vërtetë, që dilte nga shpirti dhe nga realiteti i popullit. Ata nuk kopjonin nga askush. Ata shkruanin nga përvoja, nga dhimbja dhe nga e qeshura jonë e përbashkët.

Në atë kohë, një batutë e Cimës ose e Lecit vlente sa një libër i tërë. Ata na bënin të qeshnim, por edhe na jepnin kurajë. Humori i tyre ishte një lloj “gazete e gjallë” ku e vërteta dilte më qartë se kudo tjetër. Sot, në një kohë lirie dhe mundësish, humori ynë është bërë i varfër, i sheshtë, pa identitet. Kjo është tragjedia më e madhe e kulturës sonë bashkëkohore.
Është e dhimbshme ta thuash, por ne jemi një shoqëri që harron shpejt. Sot kujtojmë Cimën dhe Lecin vetëm kur na del një fotografi e vjetër në rrjete sociale, ose kur ndonjë koleg i tyre bën një postim nostalgjik. Por kjo nuk mjafton! Ata meritojnë homazhe dhe përvjetore, meritojnë monumente, sepse ishin figura që bënë shumë më tepër sesa humor: ata bënë histori.

Ndërsa sai përketë Qumilit, është turp i madh që ende sot ai duhet të luftojë i vetëm për të mbajtur gjallë një traditë të tërë humori. Duhet ta përkrahim sa është gjallë, jo vetëm ta duartrokasim. Sepse nuk ka kuptim të derdhim lot kur të mos jetë më, ndërsa sot nuk i japim as atë respekt që e meriton.
Shkurt, kjo është një thirrje: mos i lini të shuhen këta emra në harresë. Mos e lejoni këtë shoqëri të shndërrohet në një popull që nuk i nderon figurat e veta. Kujdesuni për trashëgiminë e Cimës dhe Lecit, përkrahni Qumilin, sepse një shoqëri që harron humoristët e saj, harron vetveten. Dhe pa ta, edhe e qeshura jonë është më e zbehtë, më e varfër, më e rreme.
