Po jetojmë në një kohë kur njerëzit janë më afër se kurrë përmes teknologjisë, por shumë më larg në shpirt si asnjëherë më parë. Sofrat po zbrazën, bisedat po shkurtohen, kënga po zëvendësohet nga zhurma, ndërsa mikpritja që dikur ishte krenari shqiptare, po mbetet gjithnjë e më shumë vetëm si një kujtim. Pikërisht në këtë realitet shoqëror vjen projekti i ri i Vëllezërve Lecaj, ”Sofra”– Për t’gjithë Prizreni ka shtëpi”, si një thirrje e heshtur, por e fuqishme, për t’u kthyer te vetja.
Sot, shoqëria jonë është e lodhur. E lodhur nga ndarjet, nga mosdurimi, nga fjala e rëndë dhe nga individualizmi që na ka mbyllur dyert. Në këtë kontekst, “Sofra” nuk është thjesht një projekt me këngë popullore, është një kundërpeshë morale. Një kujtesë se dikur, pavarësisht varfërisë, njerëzit kishin më shumë zemër, më shumë kohë për njëri-tjetrin dhe më shumë respekt.
Vëllezërit Lecaj, me një përvojë mbi 35 vite në muzikën popullore shqipe, nuk flasin nga nostalgjia boshe. Ata flasin nga përgjegjësia artistike. Me këtë projekt, ata nuk idealizojnë të kaluarën, por e përdorin atë si pasqyrë për të ndezur të tashmen. Dhe ajo pasqyrë nuk është gjithmonë e rehatshme.
“Sofra” simbolizon gjithçka që sot po e humbim gradualisht: uljen bashkë, dëgjimin e njëri-tjetrit, pajtimin, respektin dhe ndjenjën se askush nuk është i tepërt. Projekti “Për t’gjithë Prizreni ka shtëpi” tingëllon si një mesazh i thjeshtë, por në realitet është një kritikë e qetë ndaj shoqërisë sonë që po mbyllet në vetvete.
Prizreni, në këto këngë, nuk prezentohet vetëm si një qytet. Por shfaqet më shumë si metaforë e bashkëjetesës, e tolerancës dhe e asaj harmonie që sot na mungon. Në këtë kohë polarizuese, me fjalë të ashpra dhe ndarjesh artificiale, “Sofra” fton në një tryezë ku nuk pyetet kush je, por a je njeri.
Në aspektin artistik, projekti qëndron larg trendeve të shpejta dhe konsumit të lehtë. Është i ngadalshëm, i menduar dhe i qetë, ashtu siç duhet të jetë edhe pasqyrimi shoqëror. Vëllezërit Lecaj nuk bërtasin për vëmendje, thjesht ata këndojnë qetë, sepse e dinë se kënga e vërtetë nuk ka nevojë për zhurmë.
Në këtë shoqëri ku gjithçka po matet me klikime, dhe atë me shikime dhe përfitim të shpejtë, “Sofra” nuk guxon të jetë ndryshe. Guxon vetëm të jetë njerëzore. Dhe kjo e bën atë të domosdoshme.
Ky projekt sikur po na pyet:
A kemi ende vend në shpirtin tonë për këto këngë?
Vëllezërit Lecaj, përmes këtij projekti, na rikujtojnë se muzika popullore nuk është arratisje nga realiteti, por mënyrë për ta përballur atë. “Sofra – Për t’gjithë Prizreni ka shtëpi” është një projekt, jo vetëm që na argëton, por na sfidon dhe na jep mundësinë ta përjetojmë.
Dhe ndoshta, pikërisht për këtë arsye, ajo ka më shumë vlerë sot se kurrë më parë.
Argëtim të këndshëm me videon e mëposhtme